Sot dëshiroj t’ju flas për historinë tragjike të Kosovës dhe për aspiratat e popullit të Kosovës. Po ashtu, dua të shpreh mirënjohjen për përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti atë të Kombeve të Bashkuara gjatë tetë vjetëve të kaluara. Krejt në fund dëshiroj t’ju përcjell nevojën e lëvizjes urgjente të Kosovës drejt një të ardhmeje më të ndritur. Nuk ka nevojë t’ju sjell në kujtesë rrethanat historike të shpërbërjes së Jugosllavisë, njëra nga tragjeditë e mëdha të epokës moderne. Na kujtohet mirë se si nacionalizmi i skajshëm shkatërroi një vend me komunitete të ndryshme etnike duke i dhënë botës një term të ri, atë të “spastrimit etnik”. Shpërbërja e Jugosllavisë filloi në vitin 1989, kur Beogradi, në mënyrë të paligjshme, revokoi autonominë e Kosovës dhe vendosi në vend të saj një sistem të sundimit të drejtpërdrejtë mbi baza etnike. Derisa konflikti në Kosovë po intensifikohej nga fundi i viteve ’90, forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe spastruan qytetet dhe fshatrat tona duke krijuar kështu njërën nga krizat më të rënda të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Deri në ditën e sotme mbi 2.000 anëtarë të familjeve tona mbeten ende të pagjetur. Konflikti përfundoi pas intervenimit në kohën e duhur të vendeve të NATO-s. Menjëherë pas luftës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ndërmori veprime të jashtëzakonshme për ta vendosur Kosovën nën administrimin e OKB-së, së cilës i jemi thellësisht mirënjohës për rolin që ka luajtur për ta ndihmuar Kosovën të rimëkëmbej nga lufta, e cila ishte zhvilluar kundër poipullit të saj. Na është dashur kohë për t’i rindërtuar dhe për t’i krijuar institucionet e reja demokratike. Administrata e OKB-së na ka ndihmuar edhe në këtë fushë. Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së pati miratuar Rezolutën 1244 parashihej një proces, i cili do ta zgjidhte dhe do ta vendoste statusin e Kosovës gjatë viteve të ardhshme. Për ta bërë këtë tashmë kemi një proces, i cili po zhvillohet qe më tepër se dy vjet. Pas pesëmbëdhjetë muajve të parë të negociatave intensive, emisari special i OKB-së, Marti Ahtisari përpiloi një plan të hollësishëm për Kosovën duke përfshirë edhe një pako të masave për mbrojtjen e minoriteve të Kosovës, si dhe rekomandimin për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Propozimi i Presidentit Ahtisari konstaton dhe e pranon se pas shpërbërjes së dhunshme, jokonsensuale dhe ngjarjeve të tmerrshme të viteve ’90, nuk kishte asnjë mundësi që Kosova dhe Serbia të mbeteshin bashkë në të njëjtin shtet. Ne ishim të kënaqur kur Propozimit të Presidentit Ahistari iu dha një përkrahje e gjerë ndërkombëtare. Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, njësoj si edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e përkrahën atë. Pjesa dërmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u pajtuan po ashtu me rekomandimet e tij. Me këtë lloj përkrahjeje, miratimi nga ana e OKB-së i planit të Ahtisarit do t’i ofronte rajonit tonë qartësi dhe do të promovonte pajtimin dhe stabilitetin. Por, meqenëse në Këshillin e Sigurimit nuk pati pajtim, ne pranuam që të marrim pjesë edhe në një raund të negociatave me Beogradin. Kosova është angazhuar në frymë mirëbesimi dhe në mënyrë aktive në bisedimet e udhëhequra nga treshja. Gjatë këtij procesi Beogradi sërish propozoi modelin e “autonomisë substanciale”, një model i paqëndrueshëm dhe i pazbatueshëm, i cili ishte prezantuar edhe gjatë bisedimeve me Ahtisarin. Populli i Kosovës, si edhe çdo popull tjetër i lirë, asnjëherë nuk do ta pranonte një marrëveshje të tillë. Negociatorët serbë pastaj krahasonin propozimet e tyre me autonominë që gëzon Hong-Kongu apo Ishujt Aland. Këta dy shembuj nuk kanë asgjë të përbashkët apo të ngjashme me historinë e spastrimit etnik, me shpërbërjen shtetërore dhe administratën e përkoshme të OKB-së që e karakterizojnë Kosovën. Sido që të jetë, gjatë procesit të treshes ne bëmë përpjekje të mëdha që të arrinim një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Veçanërisht u përpoqëm t’i identifikojmë mekanizmat e adresimit të interesave legjitime të Beogradit në Kosovë. Për këtë qëllim ne propozuam një Traktat të miqësisë dhe bashkëpunimit, sipas të cilit Kosova dhe Serbia do të konsultoheshin, do të themelonin komisione të përbashkëta dhe do të bashkëpunonin në çështje të interesit të përbashkët. Ne po kërkonim mënyra për të bindur Serbinë se Kosova e pavarur do të ishte një fqinj i mirë. Megjithatë Beogradi nuk deshi të diskutonte për Traktatin tonë. Ishte për keqardhje që nuk mund të kishim një bisedë serioze rreth asaj se si populli i Kosovës dhe populli i Serbisë do të mund të jetonin dhe të bashkëpunonin si fqinjë në paqe. Përkundrazi, ne dëgjonim zyrtarët e Beogradit duke e përsëritur vazhdimisht pikëpamjen e tyre gjoja se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lejonte vetëm një rezultat të mundshëm të këtij procesi: autonomi për Kosovën. Ky interpretim për ne ishte i paqëndrueshëm.
Treshja tashmë ka raportuar se “nuk kishte lënë gur pa lëvizur në kërkim të një marrëveshjeje”, edhe pse nuk u gjet një rezultat i pranueshëm për të dyja palët. Qëndrimet e Serbisë dhe të Kosovës mbesin fundamentalisht të papajtueshme. Sidoqoftë, z. President, Kosova është e gatshme të vazhdojë tutje. Mungesa e qartësisë së statusit po e mban peng ekonominë tonë, po i zmbraps investimet ndërkombëtare dhe po na e pamundëson qasjen në institucionet financiare dhe huadhënëse ndërkombëtare. Kjo pasiguri na e bën të pamundur që të marrim përgjegjësitë tona të plota për institucione demokratike. Kjo, po ashtu, popullit të Kosovës dhe në të vërtetë të gjithë rajonit i pamundëson që të ketë një plan të qartë për të ardhmen. Jemi të rraskapitur nga gati pothuaj dy dekada izolimi, lufte dhe harrese politike.
Plani i Ahtisarit ofron një bazë të mirë për të lëvizur përpara. Ne jemi të gatshëm që t’i përkushtohemi zbatimit të plotë të tij, me qëllim që ta bëjmë Kosovën vend në të cilin të gjitha komunitetet do të mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Si do ta bëjmë këtë?
Së pari, ne jemi të gatshëm t’i zbatojmë të gjitha masat që Presidenti Ahtisari i ka propozuar për t’i mbrojtur komunitetet pakicë. Kjo punë tashmë ka filluar. Kuvendi i Kosovës ka përgatitur projektligjet kryesore që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale, themelimin e komunave të reja dhe vendosjen e zonave mbrojtëse përreth objekteve të trashëgimisë kulturore. Tashmë jemi duke ndërmarrë masa për mbrojtjen e objekteve religjioze serbe, madje këtë e po e bëjmë edhe para se plani i Ahtisarit të aprovohet formalisht. Po ashtu kemi filluar hartimin e Kushtetutës, e cila përfshin parimet e marrëveshjes Ahtisari, në veçanti ato që kanë të bëjnë me të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët. Puna rreth Kushtetutës do të vazhdojë dhe do të përshpejtohet. Së dyti, ne mirëpresim periudhën e mbikëqyrjes ndërkombëtare që e ka propozuar Presidenti Ahtisari. Jemi të vetëdijshëm që Kosova vazhdon të ketë nevojë për përkrahjen e institucioneve të saja të reja. Prandaj, ne e mirëpresim ofertën e NATO-s për të vazhduar misionin paqeruajtës të mandatuar me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Gjithashtu, mirëpresim emërimin e një përfaqësuesi civil ndërkombëtar për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes Ahtisari, si dhe vendosjen e një misioni të Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë. Ne po ashtu i njohim të drejtat dhe prerogativat e OKB-së në Kosovë. Së treti, ne do të vazhdojmë t’ia shtrijmë dorën e miqësisë Serbisë dhe nuk do të tërhiqemi nga përkushtimet, të cilat i kemi ofruar në Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit. Kosova dhe Serbia kanë lidhje gjeografike, në kulturë, histori dhe tregti. Do të vazhdojmë të kërkojmë dhe të angazhohemi për marrëdhënie më të mira me fqinjin tonë verior mbi bazën e vlerave të përbashkëta dhe dëshirës për një të ardhme më të ndritur në bashkësinë e demokracive euroatlantike.
Liderët e Kosovës kanë bërë një zotim para treshes për të mos përdorur dhunë, kërcënime apo frikësime. E ripërsërisim këtë zotim të pakushtëzuar. Do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion që të bëjmë që situata e sigurisë të mbetet e qetë gjatë kësaj periudhe të rëndësishme për Kosovën.
Jam i vetëdijshëm që ka të atillë që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës në parim.Sidoqoftë, e ftoj dhe inkurajoj Këshillin e Sigurimit që të fokusojë natyrën sui generis të Kosovës. Situata jonë nuk është rast i sesecionit etnik, por është një rast special, i cili duhet të shihet në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Kosova është një kombinim tejet i pazakonshëm i faktorëve të cilët nuk mund të gjenden gjetiu duke e përfshirë këtu edhe shpartallimin jokonsensual të një shteti federal, përgjigjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj krizës tragjike humanitare në të gjithë ish-Jugosllavinë, pastaj dhunën e sponsorizuar nga Beogradi kundër civilëve dhe spastrimin etnik në Kosovë. Përveç kësaj shumë e veçantë është Rezoluta 1244 e KS të OKB-së me dispozitat e jashtëzakonshme, të cilat e vendosën Kosovën nën adminsitrimin e përkoshëm të OKB-së dhe parashikuan një proces politik për përcaktimin e statusit të udhëhequr nga OKB-ja. Njerëzit e përgjegjshëm duhet t’i refuzojnë krahasimet false me konfliktet e tjera. Z. President, unë ju falënderoj që ma dhatë mundësinë për t’i shprehur ndjenjat dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Kjo është kohë e vështirë për popullin tim, me plot pritje dhe frikë për të ardhmen. Megjithatë, zotohemi se liderët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë partnerë konstruktivë. Ju faleminderit! |